Flora dhe Fauna
Ndryshimet klimatike, pedologjike dhe hidrografike, kanë ndikuar në llojllojshmërinë e botës bimore dhe shtazore. Në zonën kalimtare prej fushës në viset bregore haset bashkësia e akaçjeve (bagremit), pastaj manit të bardhë , manit të zi, lisit të zi, rrapit, plepit kanadez, robimës japoneze, dafinës, frashrit amerikan etj.
Në viset bregore më e përhapur është bashkësia e ahut.
Në brezin e drunjëve gjetherënës (900-1500m) fillojnë së pari bashkësitë e përziera me gjethembajtës, e pastaj fillon brezi i drunjëve gjethembajtës: dëllënja (bredhi i kuq), bredhi (çami), boriga (pisha e zezë), pisha e bardhë. Bashkësia e gështenjës si treguese e ndikimit të klimës mesdhetare vazhdon rrëzave të Bjeshkëve të Nemuna deri te Strellci i Epërm dhe deri në Pejë ( në Zatra). Në lartësi rreth 1500m fillon brezi i kullosave malore të cilat ngriten deri në lartësinë 2200m. Në brezin e kullosave haset boronica, bimë e cila jep fruta shumë të shëndetshme.
Zona kodrinore-malore është më e pasura me faunë. Në zonën fushore e kodrinore ku shtrihen pyjet (si Lipovica, Kleçka etj.) jeton kaprolli, derri i egër, dreri dhe lepuri. Prej shpezëve në zonën fushore-kodrinore hasen korbi i murrmë , laraska, shtura, harabeli fushor, qukapiku, pëllumbi, turtulli, thëllëza e fushës, shkurtëza, fazani etj. Në zonën malore, ku shtrihen edhe pyjet jeton ariu i murrmë, luqerbulli, dhia e egër, derri i egër, ujku, sqarthi i artë, sqarthi i bardhë, dhelpra, kaprolli, pulegra e madhe dhe e vogël, pula e pyjeve, thëllëza , ketri etj. Ariu më tepër haset në zonën malore të Alpeve Shqiptare, në Sharr, Moknë etj.
Për gjueti turistike janë të përshtatshëm pylli i Lipovicës (Blinajës) dhe Kleçkës, jo larg Lypjanit.
Sa i përket faunës ujore mund te gjuhen: trofta e përrojeve, dispari, ngjala, mustaku, krapi, bërcaku, skobusi, siluri, gjuhza, skrofana, cironka etj.
