| |
| Pozita Gjeografike |
 |
Kosova gjindet në mes të Europës Jug-Lindore. Kosova, shtrihet mes paraleles 42° e 44° të hemisferës veriore të Tokës dhe mes meridianit 20° e 22°. Duke zënë pozitë qendrore në Gadishullin Ballkanik, paraqet nyje të rëndësishme të lidhjes midis, Evropës së Mesme dhe asaj Jugore, Detit Adriatik dhe Detit të Zi. Sipërfaqja e Kosovës është 10 908 km2 dhe është e populluar me mbi 2 milionë banorë.
Boshtin kryesor të lidhjes së viseve veriore dhe jugore të Ballkanit e bëjnë luginat e lumenjve: Ibër, Sitnicë dhe Lepenc. Ky bosht ndan disa lugina të tërthorta: në afërsi të Mitrovicës përgjatë lumit Iber kalon magjistralja e Adriatikut e cila e lidhë bregdetin e Malit të Zi , në afërsi të qytetit të Besianës (Podujevës). Rruga e Llapit dhe Toplicës e lidhë me qytetin e Nishit dhe me brendësin e Gadishullit Ballkanik, në afërsi të Prishtinës, ndodhet lugina e Drenicës e cila e lidhë Drinin e Bardhë me rrugën më të shkurtër për bregdetin Shqiptar. Në qytetin e Ferizajt ndahet rruga e Moravës së Binçes e cila kyçet në arterien kryesore lumore të Moravës dhe Vardarit. |
|

Klima
Klima dhe temperaturat në Kosovë janë të ndryshueshme gjatë katër stinëve të vitit. Dimri është me borë dhe me temperatura të ulëta, p.sh. në Prishtinë temperatura mesatare është -2°C. Pranvera dhe vjeshta janë të freskëta dhe me reshje, kurse vera është e nxehtë dhe e thatë - me temperatura mesatare +22°C. Temperaturat e larta në Kosovë gjatë vitit janë mes 25°C dhe +38°C.

Flora dhe Fauna
Ndryshimet klimatike, pedologjike dhe hidrografike, kanë ndikuar në llojllojshmërinë e botës bimore dhe shtazore. Në zonën kalimtare prej fushës në viset bregore haset bashkësia e akaçjeve (bagremit), pastaj manit të bardhë , manit të zi, lisit të zi, rrapit, plepit kanadez, robimës japoneze, dafinës, frashrit amerikan etj.
Në viset bregore më e përhapur është bashkësia e ahut.
Në brezin e drunjëve gjetherënës (900-1500m) fillojnë së pari bashkësitë e përziera me gjethembajtës, e pastaj fillon brezi i drunjëve gjethembajtës: dëllënja (bredhi i kuq), bredhi (çami), boriga (pisha e zezë), pisha e bardhë. Bashkësia e gështenjës si treguese e ndikimit të klimës mesdhetare vazhdon rrëzave të Bjeshkëve të Nemuna deri te Strellci i Epërm dhe deri në Pejë ( në Zatra). Në lartësi rreth 1500m fillon brezi i kullosave malore të cilat ngriten deri në lartësinë 2200m. Në brezin e kullosave haset boronica, bimë e cila jep fruta shumë të shëndetshme.
Zona kodrinore-malore është më e pasura me faunë. Në zonën fushore e kodrinore ku shtrihen pyjet (si Lipovica, Kleçka etj.) jeton kaprolli, derri i egër, dreri dhe lepuri. Prej shpezëve në zonën fushore-kodrinore hasen korbi i murrmë , laraska, shtura, harabeli fushor, qukapiku, pëllumbi, turtulli, thëllëza e fushës, shkurtëza, fazani etj. Në zonën malore, ku shtrihen edhe pyjet jeton ariu i murrmë, luqerbulli, dhia e egër, derri i egër, ujku, sqarthi i artë, sqarthi i bardhë, dhelpra, kaprolli, pulegra e madhe dhe e vogël, pula e pyjeve, thëllëza , ketri etj. Ariu më tepër haset në zonën malore të Alpeve Shqiptare, në Sharr, Moknë etj.
Për gjueti turistike janë të përshtatshëm pylli i Lipovicës (Blinajës) dhe Kleçkës, jo larg Lypjanit.
Sa i përket faunës ujore mund te gjuhen: trofta e përrojeve, dispari, ngjala, mustaku, krapi, bërcaku, skobusi, siluri, gjuhza, skrofana, cironka etj.
|
|
|
|